Lajme

Për kthimin e targave në ‘RKS’ do të ketë lehtësira në regjistrim deri me 31 mars

Stikersat SRB të vendosura në targa RKS

Pronarët e automjeteve me traga të lëshuara nga autoritetet serbe me akronime të qyteteve të cilët i kthejnë në ato RKS do të kenë lehtësira në regjistrimin e tyre.

Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, këto lehtësira për regjistrim do të vlejnë deri me datën 31 mars të vitit 2023.

“Të nderuar qytetarë, ju do të keni mundësi të përfitoni nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targa ilegale në targa RKS deri me datë 31 mars 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit. Mjetet tuaja motorike mund t’i regjistroni në cilëndo qendër të regjistrimit, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që kanë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Sipas kësaj ministrie, nga 1 nëntori i këtij viti deri me 21 është masa e qortimit ndaj këtyre shoferëve dhe pas kësaj periudhe do të vazhdojë masa e gjobitjes  në vlerë të 150 eurove deri me 21 janar.

“Me vendimin e ri, nga data 1 Nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS. Nga data 21 Nëntor deri me datë 21 Janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro”.

Ndërsa pas datës 31 mars nuk do të ketë lehtësira në regjistrim por që regjistrimi mund të bëhët.

Kurse, pas 21 prillit të gjitha automjetet që përmbajnë targa me akronime të qytetve nuk do të ju lejohet hyrja apo qarkullimi brenda Kosovës.

Nesër fillon numërimi mbrapsht për targat – SHQIP.com

Vlen të theksohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë këkruar pezullimin e vendimit për dhjetë muaj por Kurti ka refuzuar këtë kërkesë.

Në të njejtën linjë me ShBA-të ka qëndruar edhe Bashkimi Evropian.

Refuzimi i kërkesës së partnerëve ndërkombëtar nga ana e Kurtit ka ngjallur reagime të shumta në publik.

Ndërsa, në reagimin e Departamentit të Shtetit Amerikan, thuhet se ata janë të zhgënjyer nga refuzimi i kërkesës së tyre.

Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova ka të drejtë të heq targat KM por duhet të bëhet në mënyrë graduale duke u dakorduar me dialog.  Ata cilësojnë se është shkelur marrëveshja e vitit 2016-të në të cilën heqja e targave përshkruhej me afat kohorë prej 12 muajsh.

Kundër ndryshimit të tragave ilegale në Kosovë, qëndron edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiç.

Në rast se këto targa nuk lejohen nga autoritetet e Kosovës, Vuçiq ka parlajmëruar ‘përshkallëzim’ të popullatës serbe në veri.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që obligonte pronarët e makinave me targa të akronimeve që t’i regjistronin ato në “RKS”.

Ky vendim do të hynte në fuqi që nga 1 gushti i këtij viti por për shkak të situatës së tensionuar, ky vendim u shty për një muaj duke u  vendosur një afat kohorë deri me 31 tetor.

Gjatë kësaj periudhe kohore makina të regjistruar në RKS ka pasur shumë pak por nuk kanë munguar as incidentet.

Nga 1 shtatori janë regjistruar tri incidente në të cilat janë të përfshirë persona që ju kanë përgjigjur ftesës që t’i kthejnë targat. Lidhur me këtë, Institucionet e Kosovës janë duke i akuzuar strukturat ilegale të cilët po frikësojnë qytetarët serb.

Përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë reaguar për djegien e makinave dhe pronave të banorëve serbë. As Beogradi zyrtar nuk ka komentoi publikisht sulmet.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kishte paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Deri më tani, vetëm 20 makina janë riregjistruar në RKS, dhe ky numër i vogël – krahasuar me afër 10.000 makina sa besohet se kanë targa ilegale në Kosovë.

/Shqip.com