Lajme

Për ditën e policëve të rënë në krye të detyrës, Policia bllokon këtë rrugë të Prishtinës

Për nderë të ditës së policëve të rënë në krye të detyrës, Policia e Kosovës ka bllokuar rrugën “Luan Haradinaj” në kryeqytet.

Kjo rrugë ka qenë e bllokuar nga objekti i Kryeprokurorit të Shtetit deri te objekti i Komisonit Qendror të Zgjedhjeve ndërsa para objektit të Policisë është paraparë një aktivitet në nderim të policëve të rënë në detyrë.

Për herë të parë në Kosovë sot shënohet dita memoriale e punonjësve policorë të rënë në krye të detyrës.

Me këtë rast kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar rënien e policit, Enver Zymeri.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Kurti shkruan se me 26 korrik të vitit 2011, gjatë një aksioni policor për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, ra dëshmor pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.

Kurti tha se ai u vra nga struktura kriminale serbe.

“Në kronologjinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, disa data janë të shënjuara edhe me emra të përveçëm, sikur 26 korriku i vitit 2011, kur gjatë një aksioni policor për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, pati rënë dëshmor pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi. Ai u vra nga struktura kriminale serbe, që asnjëherë deri sot nuk janë zbuluar dhe nuk janë nxjerrë para drejtësisë”.

Lexo edhe:

Sot shënohet dita memoriale e policëve të rënë në krye të detyrës

Ndryshe, një vit më parë Qeveria e Kosovës ka dhënë mendimin e saj për nismën legjislative të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, Qeveria ka propozuar që krahas 24 Qershorit si Dita Memoriale e komunitetit egjiptian në këtë projektligj të shtohet edhe 26 Korriku si Dita e Policëve të rënë në kryerjen e detyrës.

26 korriku është data kur është vrarë polici Enver Zymeri, gjatë një aksioni në veri të vendit.

Më 27 korrik 2021 është zbuluar pllaka përkujtimore për 21 heronjtë e Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës./Shqip.com