Lajme

Sot shënohet dita memoriale e policëve të rënë në krye të detyrës

Për herë të parë në Kosovë sot shënohet dita memoriale e punonjësve policorë të rënë në krye të detyrës.

Me këtë rast do të bëhet vendosja e kurorave te lapidarët e policëve të vrarë.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, ceremonia memoriale do të mbahet në Stacionin policor “Qendra”– Prishtinë, ndërsa është paraparë të bëhet edhe parakalimi i gardës dhe njësiteve policore.

“Me rastin e shënimit të ditës mermoriale për zyrtarët policorë të rënë në kryerje të detyrës, me datë 26.07.2022 do të organizohet ceremoni memoriale në të cilën do të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore, korri diplomatik, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, familjarë të policëve/heronjve të rënë në kryerje të detyrës”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Ceremonia do të filloj nga ora 11:00.

Policia e Kosovës.

Një vit më parë Qeveria e Kosovës ka dhënë mendimin e saj për nismën legjislative të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, Qeveria ka propozuar që krahas 24 Qershorit si dita memoriale e komunitetit egjiptian në këtë projektligj të shtohet edhe 26 Korriku si dita e policëve të rënë në kryerjen e detyrës.

26 korriku është data kur është vrarë polici Enver Zymeri, gjatë një aksioni në veri të vendit.

Më 27 korrik 2021 është zbuluar pllaka përkujtimore për 21 heronjtë e Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës./Shqip.com