Lajme

Për 8 ditë vetëm 3 automjete i kthyen targat në RKS, pas 31 tetorit MPB-ja paralajmëron masa

Zëvendësimi i targave në Pikën Kufitare me Serbinë

Që nga 1 shtatori kur ka filluar së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës, vetëm 3 automjete janë regjistruar me targa RKS.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për Shqip.com, Nora Fetoshi- zëdhënëse për media në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Deri sot, në ditën e tetë prej kur ka filluar procesi i përgatitjeve për regjistrimin e veturave dhe kthimin e targave nga ato ilegale në RKS, janë regjistruar me targa RKS gjithsej tre automjete” është shprehur Fetoshi.

Nga 10 komuna me shumicë serbe vetëm në komunën e Leposaviçit deri më sot është regjistruar një rast.

Ndërsa regjistrimet e tjera vijnë një nga komuna e Dragashit, dhe një në atë të Prizrenit.

Për të gjithë ata të cilët nuk i rikthejnë targat e veturave në RKS, Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëron masa.

Lexo edhe:
Sveçla: Është sulmuar shtëpia e një rreshteri të Policisë së Kosovës pas ndryshimit të tabelave nga ato ilegale në legale

“Fokusi i MPB-së është që ne t’i marrim të gjitha veprimet dhe të punojmë bashkë për informim të drejtë dhe transparent për qytetarët në mënyrë që të gjithë shtetasit tanë të jenë të informuar mbi vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës dhe siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi, automjetet të cilat do të mbeten të paregjistruara edhe pas afatit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare”, thonë Fetoshi.

Po ashtu nga MPB-ja presin që në ditët në vijim të rritet numri i regjistrimit të veturave në RKS.

“Të gjitha përgatitjet operacionale tashmë janë gati dhe presim që ditëve të ardhshme të kemi edhe raste të tjera të cilët do t’i regjistrojnë veturat e tyre në QRA-të përkatëse, duke përfituar nga lehtësirat e parapara në këtë process”, thuhet më tutje.

Masa e reciprocitetit ndalon përdorimin e targave serbe të automjeteve me akronimet e qyteteve të Kosovës.

Lexo edhe:
Kosova nis zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe targat

Pronarëve të automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, do t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Këtë vendim, Qeveria e Kosovës e kishte marrë në mbledhjen e 29 qershorit të këtij viti dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht.

Për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës vendimi i shty për një muaj me kërkesë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe./Shqip.com