Lajme

Peci përshëndet aksionin “Subvencioni 2021”: Paratë e taksapaguesve duhet të adresohen në vendin e duhur

Faton Peci

Minisri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka përshëndetur aksionin e së premtes “Subvencioni 2021” ku u arrestuan 31 persona, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Peci u shpreh se paratë e taksapaguesve të qytetarëve duhet të destinohen vetëm në adresat e duhura, në këtë rast te fermerët meritorë.

Lexo edhe:
31 persona arrestohen nga aksioni “Subvencioni 2021” në tetë komuna

“E përshëndes aksionin e sotëm të policisë së Republikës së Kosovës, rasti “subvencioni 2021” dhe organeve tjera të drejtësisë në përpjekjen për sundimin e së drejtës në institucione tona.

Paratë e taksapaguesve të qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet të destinohem vetëm në adresa meritore, në këtë rast vetëm tek fermerët meritorë”, shkroi ndër tjerash Peci.

Tutje, ministri i Bujqësisë deklaroi se këto arrestime janë vazhdim i arrestimeve të mëhershme në muajt shkurt dhe qershor të këtij viti.

“Këto arrestime janë në vazhdën e arrestimeve të mëhershme të muajit shkurt dhe qershorit të këtij viti. Bashkëpunimi me organet e drejtësisë për ti dhënë epilog të gjitha keqpërdorimeve dhe abuzimeve të parasë publike në Institucionet e Republikës së Kosovës nuk ka alternativ, është imperativ i kohës”, shkroi tutje ai.

Ndryshe, të premten është zhvilluar një aksion “Subvencioni 2021” në tetë komuna, ku ka rezultuar me 31 persona të arrestuar.

Përmes njoftimit, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se 12 prej të arrestuarve kanë pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK-së.

“Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.  Ndërkaq, aksioni është zhvilluar në komunat: · Pejë, · Istog, · Ferizaj, · Lipjan, · Prishtinë, · Kllokot, · Vushtrri, · Podujevë”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Kurse, 19 persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve nga komuna të ndryshme ku dyshohet se kanë mashtruar me subvencione.

Sipas Prokurorisë, personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e Ryshfetit”, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”./SHQIP.com