Lajme

31 persona arrestohen nga aksioni “Subvencioni 2021” në tetë komuna

Ilustrim.

31 persona janë ndaluar dhe intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në aksionin e së enjtes “Subvencioni 2021”, i cili është zhvilluar në tetë komuna, përcjell Shqip.com.

Përmes njoftimit, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se 12 prej të arrestuarve kanë pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK-së.

Lexo edhe:
Flet kryetari i Istogut: Nuk e dimë për çka janë arrestuar zyrtarët e Komunës

“Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.  Ndërkaq, aksioni është zhvilluar në komunat: · Pejë, · Istog, · Ferizaj, · Lipjan, · Prishtinë, · Kllokot, · Vushtrri, · Podujevë”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Kurse, 19 persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve nga komuna të ndryshme ku dyshohet se kanë mashtruar me subvencione.

Sipas Prokurorisë, personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e Ryshfetit”, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Tutje, Prokuroria njoftoi se gjatë afateve kohore ligjore do të bëjë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit të personave që janë ndaluar nga aksioni./SHQIP.com