PDK: Qeveria ka lënë vendin të papërgatitur për përballjen me pasojat e krizës energjetike
Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se Qeveria aktuale e ka lënë vendin tërësisht të papërgatitur për t’u përballur me pasojat e rënda të krizës energjetike, përcjell Shqip.com.
Përmes një komunikate për media, PDK u shpreh se mbarë Evropa po përjeton rritje marramendëse të çmimeve të energjisë elektrike, kurse Qeveria e Kosovës po tregohet neglizhente dhe nuk ka marrë asnjë masë për këtë çështje.
“Gjatë muajve të fundit, mbarë Evropa është duke përjetuar rritje marramendëse të çmimeve të energjisë elektrike, ndërsa Qeveria e Kosovës po tregohet neglizhente dhe nuk ka marrë asnjë masë për të adresuar këtë krizë që po i afrohet me shpejtësi edhe Kosovës. Aktualisht, çmimi i rrymës në bursat e energjisë në rajonin tonë, ka arritur në trefishin e çmimit të një viti me parë, ndërkohë që jemi ende larg dimrit – kur edhe pritet të arrijë kulmi i çmimit”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Tutje, PDK theksoi se kjo krizë ndërkombëtare kërcënon furnizimin e rregullt dhe me çmime të papërballueshme të qytetarëve dhe bizneseve, teksa shton se rrezikon sigurinë kombëtare.
“Dihet që Kosova nuk ka kapacitete gjeneruese të rrymës për të përmbushur nevojat e saj kur arrin piku i konsumit në dimër dhe për rrjedhojë është e varur nga vendet fqinje – qoftë për blerje të energjisë, qoftë për transmetimin e energjisë së importuar”, shton tutje PDK.
Tutje, partia më e madhe opozitare thotë se kjo krizë ndërkombëtare mund ta bëjë pagesën e rrymës tejet të rëndë dhe po ashtu të vështirësojë furnizimin e rregullt e pa ndërprerje në Kosovë.
“Nëse nuk merren masa të shpejta nga Qeveria, kjo situatë rrezikon t’i dëmtojë rëndë bizneset kosovare që ende nuk e kanë marrë veten nga kriza e pandemisë. Po ashtu, cenon mirëqenien e familjeve që gjatë dimrit harxhojnë një pjesë të mirë të të ardhurave për ngrohje”, thuhet tutje në komunikatë./SHQIP.com