Lajme

“PDK në Dragash e don fitoren në tavolinë”, reagon LDK pas vendimit të PZAP-it

Lidhja Demokratike e Kosovës

“Është e dyta herë që po ndodh në Komunën e Dragashit, në zgjedhjet e vitit 2017 edhe në këto zgjedhje. Realisht PDK po don ta merr pushtetin në tavolinë dhe jo përmes votës”.

Kështu tha për Shqip.com, kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Dragash, Qamil Kolloni, pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për votat e ardhura nga diaspora.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa më 19 nëntor ka miratuar kërkesën e avokatit të kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani, shkruan Shqip.com.

PZAP-i ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që fletëvotimet e anuluara të mos i përfshijë më rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, të mbajtura më 14 nëntor.

PDK pretendon se zarfet e ardhura me postë janë të manipuluara, meqë sipas tyre janë plotësuar nga një person.

Në anën tjetër, Kolloni tha se nuk pajtohet me vendimin e PZAP-it për anulimin e votave të ardhura me postë, ndërsa e ka vlerësuar si vendim të pandërgjegjshëm.

“Ne kemi familjarë të cilët kanë votuar dhe janë njerëz që i njohim. Nuk është e ndërgjegjshme që me një vendim nga PZAP të anulohen gjithë ato vota të qytetarëve. Ne nuk do ta pranojmë rezultatin përfundimisht”, tha ai.

Kryetari i degës së LDK-së në Dragash, Qamil Kolloni

Kolloni ka shtuar se Partia Demokratike e Kosovës, përmes kësaj forme po përpiqet ta marrë pushtetlin lokal pa meritë.

“Është e dyta herë që po ndodh në Komunën e Dragashit, në zgjedhjet e vitit 2017 edhe në këto zgjedhje. Realisht PDK po don ta merr pushtetin në tavolinë dhe jo përmes votës”, tha ai.

Më tutje, kryetari i degës së LDK-së, në Dragash, tha se votat e qytetarëve të kësaj komune, janë duke u kontrabanduar.

“Çfarëdo vendimi të merret qoftë edhe Gjykata Supreme të merr në favor, ne nuk do ta djegim mandatin dhe do të vazhdojmë të jemi pjesë e Kuvendit Komunal, për faktin se votat e qytetarëve tanë po kontrabandohen”, tha Kolloni për Shqip.com.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, në Dragash, udhëhiqte Shaban Shabani i PDK-së me 5.648 vota, 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini.

Pas numërimit të votave nga diaspora, Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54, duke bërë që rezultati të përmbyset./Shqip.com