Lajme

PDK dhe Nisma lidhin koalicion për balotazhin në Vushtrri

Burimi: Ferit Idrizi

Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për balotazhin që zhvillohet në Komunën e Vushtrrisë më 14 nëntor.

Lajmin e ka bërë të ditur Ferit Idrizi i PDK-së, kandidat për kryetar të Vushtrrisë.

Lexo edhe:
LVV merr ofertë nga LDK e PDK për koalicion në Vushtrri

“Duke qenë të vetëdijshëm për sfidat që na presin dhe angazhimin e përgjegjësinë e lartë qytetare që duhet ta kemi, kemi arritur marrëveshje bashkëpunimi për qeverisjen tonë me subjektin politik NISMA Socialdemokrate”, ka shkruar Idrizi në Facebook.

Më tej, ka falënderuar degën e Nisma-s në Vushtrri “për rreshtimin e duhur për të mirën e qytetit”.

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit në qytetin e Vushtrrisë çuan në balotazh Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Më vetëm 1% dallim në rezultatin për kryetar të komunës, Ferit Idrizi nga PDK doli i pari me 34.89 për qind, ndërsa kryetari aktual, Xhafer Tahiri nga LDK u rëndit i dyti me 33.77 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin për kryetar, Arsim Rexhepi është renditur e treta me 26 për qind të votave. /Shqip.com