Pato – “talenti i harruar”
Në “San Siro” i fitoi zemrat e milanistëve për një kohë tejet të shkurtër, ama e shkurtër ishte edhe lavdia e tij.
Alexander Pato zbarkoi ne Milano në vitin 2007, pasi – rosonerët kishin paguar 24 milion euro – ekipit Internacional nga Brazili.
Për shkak të numrit të kufizuar të futbollistëve që kishin prejardhje jo-evropiane, ai nuk mund ta zhvillonte asnjë ndeshje zyrtare në vitin 2007, dhe u desh të priste deri në vitin 2008; pritje që do t’ia vlente.
Në ndeshjen e tij debutuese ndaj Napolit ai tundi rrjetën, dhe i tregoi botës, se edhe pse ishte vetëm 18-të vjeçar, ai nuk kishte ardhur në Milano për sfilata mode.
E djathta e tij e saktë, shpejtësia dhe buzëqeshja e tij në fushë, bën që të gjithë të kthenin kokën nga ai, dhe te flisnin për djaloshin e “artë” në “San Siro” .
Pato e përfundoi sezonin e tij të parë në Serie A, me 9 gola, shifër e mahnitshme për një adoleshent.
Kampionati i ri (2008-2009) e gjeti Paton më të gatshëm se kurrë për t’i treguar botës talentin e tij.
Ai tashmë ishte bërë ndër lojtaret kyç të Milanos, dhe nuk ndalej së shënuari gola, duke e përfunduar sezonin si golashënuesi më i mirë i ekipit me 18 gola .
Në vitin 2009 ai u shpërblye me çmimin “Lojtari më i mirë i ri” në Serie A dhe “Golden Boy” i top pesë ligave evropiane.
Forma e tij vetëm sa ngrihej lartë e me lartë, derisa filluan të shfaqeshin lëndimet.
Nga viti 2010 e deri në vitin 2012 lëndimet nuk e lanë rehat, dhe ndikuan që tifozët rosonerë të shihnin vetëm copëza shkëndijash nga Pato.
Në vitin 2011 – ai mori edhe njëherë vëmendjen e futbolldashësve, pasi para 100 mijë shikuesve në “Camp Nou”, ai shënoi gol në sekondën e 24, duke hyrë në histori si goli me i shpejtë i shënuar në histori të Ligës së Kampioneve.
Pas pensionimit të Inzaghit (2012), ai e mori numrin legjendar “9” në fanellën e tij, por nuk e pati fatin ta barte gjatë.
Në vitin 2012, Pato u largua nga Milano, pasi në “San Siro” e kishin humbur durimin nga lëndimet e tij të shpeshta.
Alexandre u kthye në Brazil, tek “Corinthians”, për t’u huazuar më pas në “Sao Paolo”.
Braziliani u rikthye edhe njëherë në Evropë, fillimisht te Chelsea, por rezultoi aventurë e dështuar, pasi ai nuk mundi të zinte vend si titullar.
Pas Chelseas ai u transferua në Vilareal, ku pati disa paraqitje të mira, por në fund të sezonit, ai u “arratis” nga Evropa përsëri.
Aventura e tij e fundit ishte në ekipin “San Paolo” në Brazil, ndërsa aktualisht ai është lojtar i Orlando City./Shqip.com