Lajme

Pas tensioneve në Bërnjak, Policia qetëson situatën

Policia e Kosovës në veri të vendit

Pavarësisht se përfundoi pa incidente, një tensionim i situatës është vërejtur në ditën e katërt të protestave të serbëve kundër masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, transmeton Shqip.com.

Mirëpo, këtë situatë të krijuar në Bërnjak ka arritur ta qetësojë Policia.

Në pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, po vazhdon të ketë kolona të gjata si pasojë e bllokimit të rrugës nga protestuesit.

E gjitha kolona e makinave apo e mjeteve të rënda fillon aty ku janë të vendosura autoblindet e Policisë së Kosovës dhe kjo kolonë është e gjatë e gjatë rreth 1 kilometër, ku edhe përfundon kolona e protestuesve në Bërnjak, raporton Klan Kosova.

Rreth tri kilometra më tutje janë të vendosur edhe pesë kamionë me zhavorr, pikërisht në urën e Liqenit të Ujmanit, duke bllokuar kështu rrugën.

Gjatë natës, protestuesit kanë vendosur barrikada edhe me zhavorr.

Që nga e hëna e 20 marsit, dita kur hyri në fuqi masa e reciprocitetit të targave, banorët serbë të veriut e kundërshtuan atë me anë të protestave. Ata po qëndrojnë në këto zona edhe gjatë netëve, meqë kanë vendosur tenda.

Teksa autoritetet në Serbi pretenduan se kishte pasur “rrahje të serbëve” në Kosovë, Policia përmes një sqarimi e ka demantuar një gjë të tillë duke thënë se lajme të tilla janë tendencioze dhe të pavërteta, të publikuara nga një medium i cili “në vazhdimësi po publikon dezinformacione të tilla”.

“Lajmi i radhës i publikuar sot (23.09.21) nga ky medium, se kinse në afërsi të pikë kalimit kufitar në Bërnjak njësia speciale nga Prishtina ka rrahur tre persona serb nuk qëndron, është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët si dhe për të plotësuar ambiciet e ndryshme politike të orientuara nga jashtë”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Policisë. /Shqip.com