Lajme

Pas stuhisë në Podujevë, Peci viziton fermerët, premtohet përkrahje

Ministri Bujqësisë, Faton Peci së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi sot gjatë ditës kanë vizituar disa fermerë të komunës së Podujevës që pësuan pas reshjeve të shiut dhe breshërit.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Ministria e Bujqësisë.

“Pas stuhisë e cila preku disa rajone të vendit tonë gjatë ditës së djeshme, e cila ishte e shoqëruar edhe me shira dhe breshër, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci i shoqëruar me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vizituan fshatrat Lupq i Poshtëm, Lubq i Epërm, Popovë dhe Majancë, për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në fermat e bujqve të kësaj ane” thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Foto nga takimi me fermerët

Po ashtu është bërë e ditur se Peci i njoftoi fermerët të cilët pësuan dëme në kulturat bujqësore për procedurat rreth kompensimit të dëmeve, si dhe mënyrën e përpilimit të raportit nga terreni.

“Të gjithë bujqit të cilët kanë pësuar dëme në sektorin e bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore, siç janë: erërat e forta, breshëri, vërshimet, përmbytjet dhe ngricat duhet të drejtohen në Drejtorinë Komunale për Bujqësi dhe të raportojnë për to, pasi secila komunë mbledh të dhëna dhe evidenton për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe ato raporte pastaj i sjellin në Ministrinë e Bujqësisë për procedim të mëtejmë”, është shprehur Peci.

Në fund Peci bëri apel për të gjitha komunat të cilat pësuan nga fatkeqësitë natyrore duke kërkuar nga ta që procesi i vlerësimit të dëmeve të jetë sa më objektiv dhe real./Shqip.com