Lajme

Pas shkarkimit nga NPB, reagon Hoxha, e quan sulm politik

Ish-kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore, Hajdar Hoxha ka reaguar pas vendimit që ai të shkarkohet nga pozita e kryeshefit të kësaj ndërmarrje.

Përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook, Hoxha vendimin e ka quajtur si sulm politik, madje ka paralajmëruar ankesë.

“Sot u njoftova për vendimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore për shkarkimin tim nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj Ndërmarrje. Vendimet dhe sulmet e tilla politike, vetëm sa më kanë forcuar edhe më shumë bindjet dhe qëllimet e mia. E sigurisht që nuk do të lejojë që këto vendime dhe sulme jo të ligjshme dhe tendencioze të kalojnë pa u ndjekur të gjitha procedurat ligjore kundër tyre” ka shkruar Hoxhaj.

Ai është shprehur se punën e tij e ka kryer me profesionalizëm e përkushtim.

“Në Ndërmarrjen Publike Banesore për periudhën të cilën kam punuar, punën e kam kryer me profesionalizëm dhe përkushtim, gjithnjë duke u munduar që Ndërmarrja të përmirësojë dhe të ofrojë shërbime sa më të mira dhe sa më efektive për qytetarët e Prishtinës”, është shprehur Hoxha.

Hoxha nga kjo pozitë është shkarkuar gjatë ditës së sotme.

Kështu ka bërë të ditur asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Leutrim Retkoceri njëkohësisht aksionar në NPB.

“Menaxhmeti i ri i Ndërmarrjes Publike Banesore do të filloj menjëherë reformat, për të ndërtuar politika menaxhuese transparente dhe në shërbim të plotë të qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar mes tjerash Retkoceri në Facebook.

Theksojmë se javën e kaluar, Policia kishte kryer bastisje në NPB.

Bastisja u krye për të marrë dokumente që ndërlidhen me projektin e dyshimtë afaristo-banesor të NPB-së, që kap shifrën e 120 milionë eurove.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një konferencë për media e ka quajtur anti-ligjor dhe politik procesin e bastisjes së policisë, pasi thotë se për një orë gjatë këtij aksioni janë fikur kamerat e sigurisë në NPB./Shqip.com