Lajme

Pas Samitit Digjital, Kurti flet për tentim atentatin ndaj tij, grevën dhe takimet me kryetarët e komunave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në pas samitit digjital të mbajtur sot në Prishtinë ka folur lidhur me grevën, tentim atentatin ndaj ti si dhe takimet që do t’i bëjë me kryetarët e komunave.

Kurti tha se ndjehet i sigurt përkundër faktit se kishte tentim atentati ndaj tij si dhe ishte në dijeni tëplanit për tri atentate për të cilat ka vlerësuar që është më mirë që të mos bëhen publike.

“Sa jam i sigurt nuk e di, mund t’ua konfirmoj që ndjehem i sigurt, ndërkaq sa jam i sigurt e vendosin organet e sigurisë që marrin masa adekuate. Kam qenë në dijeni të planit për tri atentate, por e keni parë edhe nga informacioni që ka dalë unë e kam ditur shumë më herët se qëllimi ishte frikësimi i popullsisë, destabilizimi i vendit andaj kemi vlerësuar që publikimi i atij plani nuk ndihmon, përkundrazi ndihmon ata të cilët e kanë bërë planin”, tha Kurti.

Ndërsa, sa i përket grevës, Kurti tha se subvencionimi i mësimdhënësve me 50 euro nuk është zëvendësim i Projektligjit për Paga por si ndihmesë për t’u përballur me inflacionin.

“Për ata që nuk më kanë dëgjuar, po e përsëris, se kompensimi prej 50 eurove bëhet për t’u përballur me inflacion, jo si zëvendësim për Projektligjin për Paga që tashmë ka dalur në diskutim publik dhe i cili natyrisht do të sillet edhe në kuvend për të dy leximet”.

Kurti tha se është e dobishme dhe e drejtë që procesi mësimor të filloj gjë e cila është e domosdoshme për zhvillimin e shoqërisë.

“Unë jam I bindur se zgjedhja më e mirë më e drejtë dhe më e dobishme është që edhe mësimdhënësit të shkojnë në shkollë që të japin mësim dhe nxënësit të shkojnë në shkollë që të mesojnë e cila është e domosdoshme për zhvillimin e shoqërisë sonë”.

Megjithatë buxheti i ndarë për arsim, sipas Kurtit është 12 për qind më i lartë se vitin e kaluar.

Për takimet me kryetarët e komunave Kurti tha se janë dakorduar që të mbahen çdo tre muaj mbledhje dhe se sekretaria e zyrës së tij janë duke u marrur që të realizojnë mbledhjen e radhës.

“Kemi mbajtur një mbledhje me kryetarët e komunave dhe jemi dakorduar që të kemi mbledhje çdo tre muaj. Është sekretaria e zyrës së kryeministrit, në veçanti është zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, e cila intensivisht po merret me përgatitjen e kësaj mbledhje dhe qëllimi ynë është se si mund të bashkëpunojmë sa më ngushtë qeveria qendrore me komunat për zhvillim sa më të barabartë dhe të gjithanshëm, pra, agjenda do t’u ndahet atyre”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë që është prioritet i Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë avancimin digjital.

Në Samitin Digjital i cili po mbahet në Prishtinë i quajtur “Prishtina 2022”, Kurti tha se prioritet i Qeverisë është kjo fushë si dhe kjo do të fuqizojë administratën publike si dhe të përmirësoj shërbimet e tjera.

“Kjo do të bëhet me e lehtë duke punuar që të fuqizohet administrate publike, përmirësimi i sistemit edukativ, ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe atyre të drejtësisë. Kjo vjen duke dixhitalizuar institucionet qeveritare dhe ato ekonomike të cilat ndikojnë në ngritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e jetës qytetare”, tha Kurti.

Ndërsa për Samitin Digjital, Kurti tha se është mundësi e mirë për vendet e rajonit.

“Ky samit jep mundësi të gjitha shteteve të rajonit dhe Ballkanit që të zhvillohen në aspektin e dixhitalizimit në mënyrë që të bëhët komunikimi dhe shërbimi më i lehtë”.

Tutje, Kurti foli edhe për sulmet kibernetike ndaj shteteve të Ballkanit dhe tha se aftësimi dixhital dhe mbrojtja dixhitale është e rëndësishme për sigurinë e shtetit./Shqip.com

Shqip.com
Çmimet e derivateve në Kosovë Çmimi maksimal i lejuar për secilin produkt të naftës.
  • Dizel: 1.58
  • Benzine: 1.34
  • Gas: 0.75
Sot : 24/09/2022