Sport Shqiptar

Pas përplasjes së frikshme reagon nga spitali Lirim Kastrati

Një moment shumë i vështirë ndodhi gjatë ndeshjes së kampionatit hungarez mes Ujpestit dhe Kecskemetit kur mbrojtësi kosovar, Lirim Kastrati, u godit në kokë dhe mbeti pa ndjenja në fushë.

Një gjë e tillë ndodhi pas një përplasjeje të rrezikshme që mbrojtësi dardan pati në ajër me një lojtar kundërshtar gjatë një krosimi. Ndërsa mbeti i shtrirë në fushë pa ndjenja, mjekët intervenuan menjëherë dhe pas disa minutash, Kastrati u ngrit në këmbë dhe u largua nga fusha, duke insistuar për të vazhduar lojën. Megjithatë, mjekët e vendosën që ai të zëvendosohet dhe vendimi i tyre ishte i drejtë, ngase vetëm pak momente më vonë ai humbi ndjenjat sërish në bankinë.

Pas kontrollimeve të bëra, mjekët konfirmuan se nuk kishte probleme serioze me Kastratin, por u dyshua për një tronditje të mundshme. Ndërkohë, vetë Kastrati nëpërmjet një postimi në Facebook ka njoftuar se ndodhet në spital për kontrolle më të hollësishme, por se ndjehet më mirë.

“Jam në spital duke i bërë të gjitha kontrollimet e nevojshme me stafin mjekësor. Po ndihem më mirë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet! Shihemi së shpejti”, ka shkruar Kastrati.

Ai është pjesë e Ujpestit që nga viti 2020, derisa këtë edicion ka treguar formë shumë të mirë, ku është paraqitur në 18 ndeshje.

/Shqip.com