Lajme

Paraburgim për zyrtarin e ministrisë që u kap në flagrancë duke marrë ryshfet

Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji zyrtarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili u arrestua këtë të mërkurë nën dyshimin se ka kërkuar dhe pranuar ryshfet një shumë të të hollave prej mijëra eurosh.

L.G. dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.G e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit L.G. paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit187 par 1 nen par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, thuhet në komunikatën për media të gjykatës.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Policia e Kosovës, së fundmi ka realizuar disa aksione në ministri të ndryshme në të cilat dyshohet se zyrtarët kanë kryer vepra kundër ligjit.

Më 6 janar, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ishin arrestuar disa zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti, ndërsa pesë qytetarë tjerë dyshohen për dhënie të ryshfetit./Shqip.com