Lajme

Paneli i Gjykatës së Apelit hedh poshtë kërkesën e Thaçit për lirim nga paraburgimi

Ish - presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Paneli i Gjykatës së Apelit në kuadër të Gjykatës Speciale e ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruar nga ish-presidenti, Hashim Thaçi, ndaj vendimit të  gjykatësit të procedurës paraprake për mbajtjen e tij në paraburgim, përcjell Shqip.com.

Përmes vendimit të publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Apeli ka theksuar se Thaçi ka dështuar të dëshmojë se pse vendimi paraprak ka qenë i paarsyeshëm për rreziqet nëse ai lirohet.

Ndryshe, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po mbahet në parabugrim që nga 5 nëntori i vitit të kaluar.

Lexo edhe:
Lladrovci thotë se u telefonua nga Thaçi e Selimi: Ishin ndër bisedat e mia më emocionale në jetë

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020 nga Gjykata Speciale.

Sipas aktakuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë./SHQIP.com