Lajme

Lladrovci thotë se u telefonua nga Thaçi e Selimi: Ishin ndër bisedat e mia më emocionale në jetë

Ramiz Lladrovci dhe Hashim Thaçi

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka treguar se është telefonuar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci i cilësoi ato si “ndër bisedat më emocionale në jetë”, teksa shton se ishin plot ndjeshmëri sepse për herë të parë prej se ndodhen në Hagë, pati rastin të flas me ta.

“Ndër bisedat e mia më emocionale në jetë, ishte biseda e sotme telefonike me miqtë e mi, Hashimin dhe Rexhepin. Bisedat ishin plot ndjeshmëri, sepse, për herë të parë prej se ndodhen në Hagë, pata rastin të flas e ndëgjoj zërin e tyre.

Ish presidenti, Hashim Thaçi dhe UÇK-ja është pjesë e pandashme e historisë tonë, krenarisë dhe dinjitetit nacional. I falënderova për thirrjen miqtë e mi, Hashimin dhe Rexhën dhe ju thash se ju i mungoni jo vetëm familjeve, shokëve e miqve, por edhe Republikës së Kosovës, shtetit e shtetësisë tone”, shkroi ndër tjerash Lladrovci.

Ndryshe, aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020 nga Gjykata Speciale.

Sipas aktakuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë./SHQIP.com