Lajme

Pandemia: Arben Vitia takohet sot me kryetarët e komunave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në mbledhjen e Qeverisë

Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, do të takohet të premten nga ora 13:00 me kryetarët e komunave të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Ship.com, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Ai theksoi se do të kërkohet që të lehtësohen masat për personat e vaksinuar.

“Po, sot do të takohemi me ministrin Vitia. Ajo se çfarë do të kërkojmë nga ministri është që të ketë një lehtësim të masave për personat që janë vaksinuar kundër virusit korona”, tha Ibrahimi.

Lexo edhe:
1 milion vaksina anti-COVID të administruara në Kosovë

Ditë më parë, Asociacioni i Komunave të Kosovës, i kishte bërë thirrje kryetarëve që ta bojkotojnë takimin me kryeministrin, Albin Kurti.

Disa nga kryetarë e komunave iu kishin përgjigjur kësaj thirrjeje.

Arsyetimi i AKK-së ishte që Qeveria i ka larguar nga Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë.

Ndryshe, aktualisht në Kosovë janë duke u zbatuar masa anti-COVID, që përfshinë obligueshmërinë e vendosjes së maskës, kufizim të orarit të gastronomisë dhe qendrave tregtare si dhe orë policore. /Shqip.com