Lajme Krahas vullnetit dhe dëshirës për të punuar punë dore, gratë e kanë dëshirën që këtë punë ta përcjellin brez pas brezi.

Panairi “Gratë në Biznes” mbledh gratë profesioniste në qendër të Prishtinës

Panairi “Gratë në Biznes”

Veshje kombëtare, rroba nga shtizat dhe grepi, stoli, çanta e shumë produkte të tjera gjenden në panairin që inkurajojnë gratë ndërmarrëse “Gratë në Biznes” në Sheshin “Zahir Pajaziti në Prishtinë.

Produktet artizanale që mbështeten në tradita kombëtare është punë e preferuar e grave të këtij panairi.

Shqip.com ka kontaktuar me disa nga gratë, shumica prej tyre thonë se këtë punë e kanë të trashëguar nga familja.

Fana Gashi tha për Shqip.com se me këtë punë merret rreth 40 vite.

“Unë merrem që 40 vite me punë artizanale dhe e kam të trashëguar prej gjyshes, kur kam qenë e vogël kam punuar me vek së pari e pastaj me vegla të tjera. Unë e kam marrë zanatin prej gjyshes dhe vajza prej meje”.

Mevlide Muslija, tha se dashurinë për punën e dorës e ka të trashëguar nga nëna e saj.

“Unë merrem me veshje kombëtare dhe qilima tradicional, punë dore, çorapë leshi, jeleka, plisa, rruza, bizhuteri. Zanatin e kam të trashëguar pak prej nënës por unë e kam dashur punën gjithmonë dhe punën e dorës e dua fortë, do të punoj aq sa mundëm”, tha Muslija.

Emine Tahir nga shoqatës “Gratë e minatorëve të Trepçës”, tha se beson që punët e dorës do ja mësoj edhe mbesës.

“Unë jam mësuar që të punojë punë dore prej gjyshes dhe nënës, e kështu brez pas brezi e kam mësuar vajzën dhe besojë shumë që do të mësoj edhe mbesën”.

Pavarësisht punës dhe vullnetit për të bërë produkte artizanale, ky profesion ka edhe sfidat e veta.

Mihane Shala, tha për Shqip.com se krahas kësaj pune, i duhet të merret edhe me punët e shtëpisë.

“Çdo femër i ka vështirësitë e punës sepse i ka edhe punët e shtëpisë por kur ke vullnetin që të punosh janë të gjitha lehtë”.

Gratë punojnë për të mbështetur financiarisht familjen

Emine Tahiri ka thënë për shqip.com se një xhemper leshi që ajo punon i duhet dhjetë ditë kohë andaj për të, fitimi nuk është i kënaqshëm.

“Fitimi nuk është i kënaqshëm por është një ndihmesë e shtëpisë. Për të maru një xhemper të tillë duhet dhjetë ditë kohë”.

Së fundi ajo e ka vendosur në shitje edhe një “kosh” të cilin nuset më herët e kanë vendosur në kokë. Sipas Tahirit, duhet me muaj punë në ndërtimin e atij produkti.

Megjithatë, Muslija tha se me këtë veprimtari fitimi është i kënaqshëm.

“Mbajë familjen me këtë veprimtari dhe jam shumë e kënaqur me këtë biznes. Edhe me të ardhurat nga ky biznes jam shumë e kënaqur”.

Fana është organizatore e OJQ “Fana” në Pejë ku së bashku me shumë gra punojnë produkte artizanale dhe i shesin.

Krahas kësaj, Shala apelon tek gratë në Kosovë që të bëhen të zonjat e vetës duke punuar.

“Asnjë mos me qendru në shtëpi por me dal dhe me punu dhe me fitu që mos me ja zgjatë dorën askujt për një euro. Gruaja të dal të punoj dhe te bëhet aktive vet”.

Kurse, Muslija e quan këtë punë shumë produktive për gratë të cilat e duan punën e dorës.

Panairi “Gratë  në Biznes” ka qenë i hapur që nga dje dhe do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme./Shqip.com