Lajme

Pamje të siguruara nga Shqip.com: Policia dhe Dogana në ndjekje të kontrabanduesve në veri të Kosovës

Policia e Kosovës mbrëmjen e 16 korrikut është sulmuar nga disa persona në veri të vendit përderisa e kishin vërejtur një kamion i cili dyshohej për kontrabandë mallrash.

Ky aksion i Policisë është zhvilluar në fshatin Jashanicë, komuna e Leposaviqit.

Mirëpo gjatë tentimit për ta ndaluar kamionin,, zyrtarët policorë janë penguar nga dy automjete civile.

Lexo edhe:
Aksion kundër kontrabandës në Leposaviç, sulmohet Polici e Kosovës, lëndohen pesë zyrtarë policor

Gjatë aksionit, janë lënduar pesë zyrtarë policorë të cilët kanë marrë trajtim mjekësor si dhe është dëmtuar një veturë zyrtare.

Shqip.com në nëntor të vitit të kaluar kishte publikuar hulumtimin “Toka e askujt, krimi i të gjithëve” përmes të cilit zbardhej skema e kontrabandimit dhe pjesëmarrësit që nuk pyesin për ligj.

Sipas hulumtimit që ka në shënjestër veriun e Kosovës, shfaqen përpjekjet e sistemit të drejtësisë për t’i dënuar kontrabandistët, e që janë pa rezultat.

Gjithashtu tregohet fakti se të gjithë të arrestuarit dhe shpallurit në kërkim në aksionin e 13 tetorit për krim të organizuar dhe kontrabandë janë recidivistë.

Shqip.com ka siguruar raste kur kontrabandistët janë zënë në vepër, janë gjobitur, por kanë vazhduar veprimtarinë.

Shqip.com në këto dy pjesë ka arritur të zbulojë vetëm një numër të vogël të ilegaliteteve në Veri, pasi krimi atje është mal i dendur.  Skemat kriminale i mbajnë, ligji me këto gjoba minore, ua lehtëson punën, kurse pasuria rritet e shteti varfërohet.

Qeveritë në Prishtinë ndërrohen, Veriu i egër mbetet i njëjtë. Derisa politikanët luftojnë me retorikën e tyre për mandate katër vjeçare, kriminelët në veri kanë betonuar mandatin e tyre të përhershëm./Shqip.com

Më poshtë mund ta ndiqni pjesën e parë të hulumtimit “Toka e askujt, krimi i të gjithëve”.