Lajme Ballkan

Palmer emërohet mbikëqyrës i reformës zgjedhore në Bosnje

Zëvendës ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer

SHBA-ja emëron Palmerin mbikëqyrës të reformës zgjedhore në Bosnje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë emëruar ish-të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, person përgjegjës për të mbikëqyrur programin e reformës zgjedhore në Bosnje e Hercegovinë, transmeton Shqip.com.

Për këtë vendim, Uashingtoni thotë se është shenjë e përkushtimit të tij në rajon.

Gabriel Escobar, që më herët gjatë këtij muaji është emëruar Zëvendësndihmës Sekretar për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, tha për REL se Palmeri do të jetë njeriu kryesor i SHBA-së për këtë temë.

Ai shtoi se reforma zgjedhore në Bosnje është një prej hapave të parë që duhet të adresohen, në mënyrë që Ballkani Perëndimor të bëhet “më funksional” si rajon.

“Jam shumë i lumtur që Matt (Palmer) do të vazhdojë të bëjë punën e tij sepse ai ka njohuri të jashtëzakonshme, ka kontakte të jashtëzakonshme dhe vizion të madh sesi zgjedhjet në Bosnje duhet të funksionojnë”, tha Escobar.

Ai shtoi se zgjedhjet duhet të jenë “më transparente, më të përgjegjshme ndaj vullnetit të njerëzve”.

Escobari tha se emërimi i Palmerit si zyrtari kryesor për zgjedhjet në Bosnje është “një shenjë e rëndësishme” e përkushtimit amerikan ndaj këtij shteti. /Shqip.com