“Pak më herët se zakonisht” – Ahmeti thotë se janë ndezur nxemjet qendrore
Kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se është ndezur ngrohtorja e qytetit më herët se zakonisht, njofton Shqip.com.
Me anë të një postimi në Facebook, Ahmeti tha se ngrohtoret qendrore janë kyçur tashmë pas kërkesave të shumta të qytetarëve për shkak të temperaturave të ulëta me të cilat po përballen.
“E ndezëm ngrohtoren e qytetit, pak më herët se zakonisht. Kërkesat e shumta të qytetarëve për shkak të temperaturave të ulëta u dëgjuan, andaj po hymë me ngrohtësi në këtë sezonë dimri”, ka shkruar ai.
Ai më tej ka rikujtuar se rreth 90 mijë qytetarë janë të kyçur me ngrohtore qendrore përmes rrjetit të zgjeruar të ngrohtores.
“Derisa kemi hapësirë që me projektin e ko-gjenerimit t’i lidhim edhe 30 mijë të tjerë, gati është edhe projekti i dyfishimit të ko-gjenerimit për të dyfishuar kapacitetet”, tha ai.
Ndërsa, për të tjerët siç thotë ai, është hartuar projekti i ngrohjes qendrore me panele solare.
“Tashmë është kryer studimi i fizbilitetit dhe përmes një granti dhe kredie përmes Qeverisë Gjermane, KFW-së dhe Bankës Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim, ne do të ndërtojmë plantazhin e dytë të paneleve solare në Evropë për nga madhësia, pas Danimarkës, ku do të ofrojmë ngrohje qendrore për të gjitha lagjet që kanë banim individual”, ka shkruar Ahmeti.
Gjatë javës së dytë të tetorit, përveç temperaturave të ulëta dhe reshjeve konstante të shiut, është paralajmëruar se në vise malore do të ketë edhe reshje të dobëta bore. /Shqip.com