Lajme

Pajaziti: Pasivizimi i adresave shqiptare mund të ndalet duke u bërë pjesë e Qeverisë serbe

Lista Alternative Demokratike Shqiptare, e cila udhëhiqet nga Shqipërim Arifi, synon të bëhet pjesë e Qeverisë së Serbisë në rast se fiton një ulëse në Parlament. 

Synimi i tyre për t’u futur në Qeverinë e ardhshme, e cila do të formohet pas zgjedhjeve të 23 prillit, është ndalimi i pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Arbër Pajaziti, që kryeson partinë Alternative për Ndryshim në Bujanoc është pjesë e listës së Arifit. 

Ai thotë se Alternativa është zëri i Luginës së Preshevës dhe se në Parlamentin e Serbisë do të fokusohen vetëm në zgjidhjen e problemeve të komunitetit shqiptar. 

Rritja e numrit të të punësuarve nga komuniteti shqiptar në institucione, është një nga objektivat.

Shqip: Cilat janë objektivat e Alternativës Demokratike Shqiptare?

Pajaziti: Nëse na ofrohet mundësia që të jemi pjesë e Qeverisë së ardhshme dhe ne nuk paragjykojmë se cila do të jetë ajo ne do të jemi të gatshëm për të hyrë, mirëpo me kushtet dhe kërkesat tona, sepse nuk do të jemi pjesë e votimeve ‘blanko’, ose të votimeve për interesat e ngushta personale. Një ndër kërkesat tona është çështja e pasivizimit të adresave. Pastaj është integrimi i shqiptarëve në institucione, domethënë rritja e punësimit. Këto janë gjëra të rëndësishme. Nuk do të jemi vetëm si dekor.

Shqip: Si do ta realizoni ndaljen e pasivizimit të adresave?

Pajaziti: E kemi të pamundur që të detyrojmë ose të bllokojmë Qeverinë që t’i shtyjë këto tema përpara, sepse në Parlamentin e Serbisë janë 251 deputetë, kurse ne po tentojmë që të fitojmë dy ulëse. Do të provojmë metoda, të cilat nuk i kemi bërë deri tash dhe siç e thashë do të tentojmë të bëhemi pjesë e Qeverisë.

Shqip: Si do të funksiononi në Qeverinë e Serbisë, e cila nuk ka marrëdhënie me Republikën e Kosovës, ku tensionet ende janë të larta?

Pajaziti: Si subjekt politik ne kemi qenë gjithmonë në konsultime me partitë politike në Kosovë dhe Shqipëri dhe me institucionet. Ata na kanë thënë se ne duhet të orientohemi nga Beogradi dhe të integrohemi- nëse arrijmë të bëhemi pjesë e Qeverisë – për shkak se këtë na kanë sugjeruar vëllezërit tanë dhe institucionet nga shteti amë nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.

Shqip: Cilat janë projektet, të cilat do të kërkoni për Luginën?

Pajaziti: Sa i përket infrastrukturës, më shumë merret niveli komunal. Mirëpo, edhe niveli qendror ka investuar për shkak të korridorit të 10-të. Është një kërkesë për ndërtimin e Spitalit Rajonal mes Bujanovcit dhe Preshevës. Është spitali më i afërt në Vranjë, mirëpo Presheva e ka larg këtë institucion shëndetësor

Shqip: Si e vlerësoni punën e deputetëve shqiptarë në legjislaturën e kaluar?

Pajaziti: Nëse flasim për Shaip Kamberin ai më shumë është marrë me problemet e Kosovës, Bosnje e Hercegovinës sesa me problemet e Luginës së Preshevës. Prandaj, është detyrë e jona që të angazhohemi dhe me këmbëngulësi t’i kërkojmë të drejtat tona.