Pacolli: Kosova të ndalojë plotësisht bashkëpunimin me UNMIK-un

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka kërkuar ndërprerjen e bashkëpunimit me misionin e UNMIK-ut.
Pacolli ka përmendur rastin e pjesëtarit rus të UNMIK-ut i cili kishte përkrahur strukturat paralele të Serbisë dhe të cilin Kosova e kishte shpallur “Non grata” – person të padëshiruar.
“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, UNMIK-u kishte narracion të plotë të Serbisë për Kosovën. Në 2019, Kosova deklaroi Persona Non Grata, një pjesëtar rus të UNMIK-ut për përkrahjen e strukturave paralele dhe për krijimin e pengesave ndaj policisë”.
“Kosova duhet të ngrijë bashkëpunimin me këtë mision plotësisht”, ka shkruar i pari i AKR-së në profilin e tij në Facebook.

Pacolli po ashtu ka përmendur edhe Sekretarin Gjeneral të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili ka refuzuar të takohet me liderët kosovarë.
“Në OKB, Sekretari Gjeneral, Antonio Guterres ka refuzuar të takohet me zyrtarët e Kosovës duke e prishur traditën e paraardhësve të tij”.
“OKB-ja ka një mision të vjetëruar në Kosovë që nuk bën asgjë dhe që shpenzon buxhetin e tyre për çështje të panevojshme që janë jorelevante për Kosovën. Koha të shkojë në shtëpi”, ka përfunduar ai.
At the UN Security Council @UNMIKosovo had the full narrative of #Serbia on #Kosovo. In 2019 we declared PNG a Russian staff member of @UNMIKosovo for supporting parallel structures & creating obstacles to Police. #Kosovo should freeze communication with the mission fully. 1/2
— Behgjet Pacolli (@pacollibehgjet) October 16, 2021
Ndërprerjen e bashkëpunimit me misionin e UNMIK-ut të shtunën e ka kërkuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se “është e nevojshme dhe krijon qartësi institucionale”.
Sipas tij, vazhdimi i misionit të UNMIK-ut është vazhdim i konfuzionit për të gjithë./SHQIP.com