Lajme

Osmani takon ministrin e jashtëm të Polonisë, flasin për antarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar ministrin e Jashtëm të Polonisë, Zbigniew Rau, me të cilin zhvilluan një diskutim për partneritetin në mes të Kosovës dhe Polonisë si dhe për zhvillimet e sigurisë në rajon dhe Evropë.

Këtë takim, Osmani e ka realizuar në kuadër të Forumit të Prespës për dialog.

Sipas njoftimit nga zyra e presidencës, Osmani ka folur për nëvojën e avancimit të raporteve mes Polonisë dhe Kosovës.

“Potencova nevojën e avancimit të raporteve ndërmjet shteteve dhe popujve tanë, si dhe forcimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, përfshirë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe strukturat euro-atlantike”, tha Osmani.

Me ftesë të Presidentit Pendarovski, Presidentja Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me temë: Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë.

Gjatë këtij forumi, Osmani është takuar me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach si dhe me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, Manuel Sarrazin.

Ky edicion këtë vit e mban emrin “Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore të sigurisë”.

Gjatë këtij edicioni do të diskutohet mbi realitetin e ri gjeopolitik të krijuar nga lufta në Ukrainë, forcimin e unitetit transatlantik si dhe përgjigjen e përbashkët kundër agresionit rus./Shqip.com