Lajme

Osmani takon Escobar, Peach dhe Sarrazin, u bisedua për integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach si dhe me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, Manuel Sarrazin.

Këto takime, Osmani i zhvilloi ndaras në kuadër të Forumit të Prespës.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani njoftoi se në gjatë takimeve ka folur për integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.

Ky integrim, sipas Osmanit është përgjigja e vetme për të parandaluar ndikimin rus në rajon.

“Integrimi i Kosovës dhe vendeve të tjera demokratike të rajonit në strukturat euro-atlantike është përgjigja e vetme për ta parandaluar agjendën destablizuese dhe ndikimin keqdashës të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin tone”, tha Osmani

Tutje, Osmani tha se angazhimi i partnerëve të jashtëm në Ballkanin Perëndimor është hap i drejtë për proceset integrues

“Angazhimi i partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor është hapi i duhur drejt rienergjizimit të procesit integrues, i cili siguron paqen e qëndrueshme, sigurinë dhe demokracinë në rajonin tone”.

Në Ohër ka filluar konferenca ndërkombëtare dy ditore “Forumi i Prespës për Dialog”, ku e pranishme ka qenë dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ky edicion këtë vit e mban emrin “Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore të sigurisë”.

Gjatë këtij edicioni do të diskutohet mbi realitetin e ri gjeopolitik të krijuar nga lufta në Ukrainë, forcimin e unitetit transatlantik si dhe përgjigjen e përbashkët kundër agresionit rus./Shqip.com