Lajme

Osmani takohet me gratë egjiptiane, i inkurajon që të angazhohen për fuqizimin e tyre

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në prag të 24 qershorit, ditës nacionale të komunitetit egjiptian, ka takuar disa gra nga ky komunitet.

Në këtë takim Osmani ka theksuar se diversiteti shoqëror është fat për Kosovën.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Presidencës përmes një njoftimi për media.

“Presidentja Osmani ka theksuar se është fat i Kosovës që përbëhet nga një shoqëri diverse, pjesë e së cilës janë edhe vajzat dhe gratë egjiptiane, të cilat angazhohen aktivisht në avancimin e të drejtave të komunitetit”, thuhet në njoftim.

Osmani ka thënë se fuqizimi i gruas është prioriteti i saj.

“Komunitetet janë vlerë e shtuar e shoqërisë sonë, dhe duhet të bëjmë çmos që t’u garantojmë mundësi dhe trajtim të barabartë. Fuqizimi i gruas është prioritet për mua. Ofrimi i mundësive për punësim krijon jo vetëm pavarësi ekonomike, duke pasur parasysh faktin se roli i grave në shoqëri është i jashtëzakonshëm, në të gjitha fushat”, tha Osmani. 

Presidentja Vjosa Osmani gjatë takimit me gratë nga komuniteti egjiptian.

Tutje, Osmani ka inkurajuar vajzat dhe gratë e komunitetit egjiptian që ta vazhdojnë angazhimin për fuqizimin e tyre./Shqip.com