Lajme

Osmani takohet me Emirin e Katarit: Jemi të përkushtuar të thellojmë raportet ndërshtetërore

Presidentja Vjosa Osmani dhe Emiri i Shtetit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka takuar Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani gjatë vizitës zyrtare në Doha.

Sipas komunikatës së Presidencës, Osmani ka falënderuar Emirin për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin diplomatik, ekonomik dhe tregtar.

“Presidentja Osmani përmendi ndihmën e popullit dhe Shtetit të Katarit ndaj Kosovës përgjatë ditëve më të errëta për popullin tonë si dhe pas shpalljes së pavarësisë. “Populli i Kosovës nuk do ta harrojë asnjëherë zemërgjerësinë e Shtetit të Katarit në momente të vështira e deri më sot. Ne mbesim të përkushtuar që të thellojmë raportet ndërshtetërore” ka thënë ndër tjera Presidentja”, thuhet në komunikatë.

Presidentja Osmani gjatë vizitës zyrtare në Doha

Osmani po qëndron në Doha të Katarit për të marrë pjesë në edicionin e njëzetë të Forumit të Dohas.

Në këtë Forum marrin pjesë liderë botëror, politikbërës, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Ata diskutojnë për hapat përpara pas zhvillimeve të shkaktuara nga pandemia në të gjitha aspektet e jetës dhe zhvillimeve të fundit gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë./Shqip.com