Lajme Botë

Osmani për sanksionimin e Dodikut nga SHBA-ja: Përveç korrupsionit, ka kërcënuar paqen në Bosnje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Përveç aktiviteteve korruptive, Dodik ka kërcënuar në mënyrë aktive paqen, sigurinë dhe integritetin e Bosnjë e Hercegovinës”.

Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka përshëndetur vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksionimin e anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik.

Lexo edhe:
Vela reagon pas sanksionimit të Dodikut nga SHBA-ja

Përmes një postimi në Twitter, Osmani u ka bërë thirrje partnerëve tjerë ndërkombëtarë të ndërmarrin veprime të ngjashme.

“Një vendim shumë i nevojshëm i marrë nga administrata e SHBA-së. Përveç aktiviteteve korruptive, Dodik ka kërcënuar në mënyrë aktive paqen, sigurinë dhe integritetin e Bosnjë e Hercegovinës. Përgëzoj për këtë vendim dhe u bëj thirrje partnerëve të tjerë ndërkombëtarë të ndërmarrin veprime të ngjashme”, shkroi Osmani.

Lidhur me sanksionimit e Dodikut ka reaguar edhe Shefi i Presidencës, Blerim Vela i cili deklaroi se Dodik dhe Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq që u sanksionuan javë më parë – janë lidhja kriminale e “Botës serbe”.

Lexo edhe:
SHBA-të vendosin sanksione ndaj Milorad Dodik

Ndryshe, të mërkurën Zyra e departamentit amerikan i Thesarit të ShBA-së, në kuadër të Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja, ka vendosur sanksione për anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik.

Sipas këtij departamenti, Dodik është i përfshirë në aktivitete korruptive dhe kërcënime të vazhdueshme ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, përcjell Shqip.com.

Përveç tij, sanksione janë vendosur edhe ndaj televizionit “Alternativa” nga Banja Lluka për shkak të ndërlidhjes me Dodikun./SHQIP.com