Lajme Botë

Vela reagon pas sanksionimit të Dodikut nga SHBA-ja

Blerim Vela dhe Vjosa Osmani.

Blerim Vela, shefi i stafit të kabinetit të Presidentes, Vjosa Osmani, tha se anëtari i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik dhe Veselinoviq e Radoiçiq janë lidhja kriminale e “Botës serbe”, përcjell Shqip.com.

Këto deklarata ai i bëri përmes një postimi në Twitter pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione të mërkurën ndaj Dodikut.

Lexo edhe:
SHBA-të vendosin sanksione ndaj Milorad Dodik

“Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione të reja që targetojnë Milorad Dodik për aktivitetin e tij destabilizues dhe korruptiv në Bosnje. Dodik, Veselinoviç dhe Radoiçiq janë lidhja kriminale e ideologjisë politike të ‘botës serbe’ që promovohet nga regjimi i Serbisë”, shkroi ai.

Ndryshe, të mërkurën Zyra e departamentit amerikan i Thesarit të ShBA-së, në kuadër të Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja, ka vendosur sanksione për anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik.

Sipas këtij departamenti, Dodik është i përfshirë në aktivitete korruptive dhe kërcënime të vazhdueshme ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, përcjell Shqip.com.

Përveç tij, sanksione janë vendosur edhe ndaj televizionit “Alternativa” nga Banja Lluka për shkak të ndërlidhjes me Dodikun./SHQIP.com