Lajme

Osmani pas takimit me Escobar dhe Lajcak: Serbia po e bllokon progresin në dialog

Osmani në takim me Lajçak dhe Escobar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë takimit me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak ka biseduar rreth dialogu Kosovë – Serbi.

Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit.

Lexo edhe:
Vazhdon vizita e Escobar dhe Lajçak, takohen me kryeministrin Kurti

“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jo konstruktive”, ka thënë Presidentja Osmani.

Osmani gjatë takimit ka përmendur edhe listat e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia dhe sipas saj duhet të trajtohen urgjentisht “nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut”.

“Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel”, ka shtuar Osmani në takim me Escobar dhe Lajçak.

Presidentja Osmani ka thënë se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut./SHQIP.com