Osmani paralajmëron takim mes Kurtit dhe Vuçiq në korrik për dialogun Kosovë – Serbi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar nga Lubljana se gjatë këtij muaji mund të ndodh një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për dialogun Kosovë-Serbi.
Në konferenën e përbashkët për shtyp me homologun slloven, Borut Pahor, ajo ka thënë se ky takim mund të ndodh gjatë korrikut në varësi të agjendës së Bashkimit Evropian.
“Sa i përket dialogut me Serbinë, procesi po vazhdon, ka pasur takime në nivel të kryenegociatorëve dhe shumë shpejt, besoj gjatë korrikut – por, kjo varet nga lehtësuesit evropianë – ne do të kemi po ashtu një takim në nivel të liderëve”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, homologu Pahor, kërkoi si nga Kosova, po ashtu nga Serbia që të ringjallin dialogun që ka nisur më 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Ne dëshirojmë të ringjallim dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Sllovenia është mike e mirë e të dyja shteteve dhe ne do të donim që ky dialog të jetë i sinqertë dhe të japë rezultate, jo vetëm në formë të marrëveshjeve, por edhe në zbatimin e tyre. Prandaj, ne do të donim të ringjallnim shpresën që kemi parë në fillim të këtij procesi dhe kjo shpresë do të ishte e rëndësishme jo vetëm për qytetarët në Kosovë dhe Serbi, por do t’iu jepte shpresë të gjithëve në rajon sepse ata do ta shihnin se të gjitha çështjet mund të zgjidhen përmes dialogut”, tha ai.
Bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit 2021. Deri më tani, ata kanë zhvilluar vetëm dy takime dhe që të dyja nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.
Zyrtarët në BE kanë thënë se janë duke përgatitur një takim të ri midis Kurtit dhe Vuçiqit, por ende nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur mund të ndodhë.
Po ashtu, Osmani ka prekur edhe çështjen e liberalizimit të vizave.
Ajo e ka kundërshtuar hapjen e sërishme të liberalizimit të vizave, duke thënë se “Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e vizave”.
“Është e papranueshme që çështja e vizave për Kosovën të hapet sërish. Ne kemi përmbushur kriteret para katër viteve. PE ka votuar dy herë për neve tani i mbetet shteteve anëtare. e presim të arrihet në muajt në vijim”, ka thënë Osmani.
Gjatë konferencës, Osmani e ka falënderuar Slloveninë për mbështetjen./Shqip.com