Lajme

Osmani mirëpret sanksionet e SHBA-së për Veselinoviq

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendosjes së sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Zvonko Veselinoviq dhe grupin e tij sa i përket krimit të organizuar në veri të Kosovës, njofton Shqip.com.

Osmani e ka mirëpritur vendosjen e këtyre sanksioneve nga SHBA-të, duke thënë se institucionet janë të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit.

Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Twitter, Osmani theksoi se do të bashkëpunojnë me SHBA-të që rajoni të mos bëhet parajsë e sigurtë për grupet kriminale.

“I mirëpres sanksionet ndaj Veselinoviqit dhe grupit të tij të krimit të organizuar transnacional nga veriu i Kosovës”, ka shkruar ajo.

“Institucionet janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me Shtetet Bashkuara të Amerikës për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale”, shtoi më tej presidentja Osmani.

Këto sanksione u ndërmorën pasi Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete të Evropës, ndër të cilët bëri pjesë edhe Veselinoviq.

Sipas njoftimit të zyrës për media të këtij departamenti, grupi i Veselinoviqit është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

“OCG-ja e Veselinoviqit është e përfshirë në skemë të gjerë të ryshfetit me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë të cilët e lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”. /Shqip.com