Lajme

SHBA sanksionon Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij për krim të organizuar në veri

Zvonko Veselinoviq - krimi i organizuar në veri të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviq – njërit nga bosët e krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Këto sanksione u ndërmorën pasi Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete të Evropës, ndër të cilët bëri pjesë edhe Veselinoviq.

Sipas njoftimit të zyrës për media të këtij departamenti, grupi i Veselinoviqit është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Tutje në njoftim thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontrollë të disa bisneseve në disa rajone.

Sanksionet janë vendosur në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818, i cili targeton personat e korruptuar dhe abuzimin e rëndë të të drejtave të njeriut, transmeton Shqip.com.

Në njoftimin e këtij departamenti thuhet se Zvonko Veselinoviq si lideri i Grupit të Organizuar Kriminal Zvonko Veselinoviq (OCG) është një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

“OCG-ja e Veselinoviqit është e përfshirë në skemë të gjerë të ryshfetit me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë të cilët e lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë: Rosiq, Andrija Zheljko Bojiq, Srdjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Miljan Radisavljevic, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq. /Shqip.com