Lajme

Osmani: Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë vizion të përbashkët për të ardhmen

Presidentja Vjosa Osmani dhe homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Stevo Pendarovski
Presidentja Vjosa Osmani dhe homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Stevo Pendarovski

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Fillimisht ajo ka realizuar takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me të cilin pas takimit, kanë mbajtur konferencë të përbashkët për shtyp.

Në fjalimin e saj, Osmani tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë vizion të përbashkët për të ardhmen, si dhe gjithashtu potencial për të intensifikuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme.

Presidentja Osmani e falënderoi Maqedoninë e Veriut për votën e saj “pro” Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Falënderoj institucionet e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen ndaj Kosovës. Bashkëpunimi ynë me RMV-në është thelbësor për më shumë paqe, stabilitet dhe prosperitet për qytetarët dhe për rajonin. Do të vazhdojmë të ecim bashkë në këto sfida. Ndajmë vizionin e njëjtë për të ardhmen. Kemi bërë progres të jashtëzakonshëm për përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe”, tha presidentja Osmani.

Ndërsa presidenti i Stevo Pendarovski, tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë rol të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit.

“Në kontekts të sfidave rajonale, u pajtuam se shtetet tona kanë rol të rëndësishëm për arritjen e stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në këtë pjesë të Evropës. Dua të riafirmoj se mbështesim aspiratat evropiane të Kosovës dhe jemi të gatshëm të ndajmë përvojat tona me ta. Mbështesim liberalizimin e vizave për Kosovën. Po ashtu diskutuam për marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa i thash se e mbështesim marrëveshjen e arritur në Ohër, e cila do të kontribuojë për stabilitetin e rajonit”, tha Pendarovski.

Pas takimit me Pendarovskin, Vjosa Osmani do të mbajë edhe fjalim para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

/Shqip.com