Lajme

Osmani kërkon nisjen e mësimit të hënën: Interesi i nxënësve është parësor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se pas takimit që kishte me përfaqësues nga SBASHK-u ka kërkuar nisjen e mësimit të hënën.

Ajo ka thënë se greva po i dëmton nxënësit interesi i të cilëve tha se duhet të jetë prioritet.

“Sot gjatë tërë ditës kishim takime. Në radhë të parë me përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve, Këshillit të Nxënësve, Koalicionin e Organizatave për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, BSPK-në, SBAShK-un dhe me bordin e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Me të gjithë këta diskutuam për mundësitë për rifillimin e procesit mësimor nga e hëna e javës që vjen”.

“Për më tepër përgjatë gjithë ditëve që kaluan vazhdimisht kam qenë në komunikim me Qeverinë e Kosovës gjë që ka vazhduar edhe sot dhe do të vazhdojë edhe nesër dhe tutje lidhur me këtë çështje. Dua të theksoj se e drejta kushtetuese e fëmijëve në arsim nuk duhet të lejojmë asnjëri nga ne që të cenohet, por përkundrazi duhet të bashkojmë forcat që të përmirësojmë cilësinë e sistemit tonë arsimor me nxënësit në qendër të vëmendjes. Interesi i nxënësve, fëmijëve të këtij vendi, është parësor ndaj mësimi duhet të fillojë menjëherë”.

Ajo tha se është e përkushtuar maksimalisht që të gjendet një zgjidhje.

“Kam garantuar si presidente që do të shtyjë përpara adresimin e të gjitha këtyre çështjeve, duke pas në qendër të vëmendjes fëmijët dhe fëmijët. Jam e përkushtuar maksimalisht për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që procesi mësimor të fillojë sa më parë që të jetë e mundur dhe që nxënësit të mos pësojnë më tutje, sepse është interesi i tyre që po dëmtohet pariparueshëm”.

Ajo tha se më ligjin e ri mësimdhënësit do të trajtohen dinjitetshëm dhe të gjitha kategoritë e tjera./SHQIP.com