Lajme

Osmani dërgon përfaqësuesin e saj në takimin e Ambasadës amerikane për Asociacionin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të dërgojë një përfaqësues nga kabineti i saj në takimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Lajmin për Shqip.com, e ka konfirmuar këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.

“Presidentja Osmani do ta dërgoj një përfaqësues të Kabinetit të saj në këtë takim”, është përgjigjur shkurt për Shqip.com, këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina.

Kujtojmë se, Ambasada amerikane e ka organizuar një takim me datë 31 janar, ku ka ftuar zyrtarët politikë, organizatat joqeveritare dhe eksponent të tjerë të politikës në Kosovë.

Kjo sipas ambasadës, po bëhet që “të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja”.

“Ne jemi duke organizuar këtë diskutim, në përputhje me synimin tonë për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, por edhe si reflektim i miqësisë sonë për kohë të gjatë, dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”, ishte përgjigja nga Ambasada amerikane për Shqip.com.

/Shqip.com