Lajme

Osmani: Ballkani Perëndimor domosdoshmërisht duhet t`i bashkohet strukturave euroatlantike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor domosdoshmërisht duhet t`i bashkohet strukturave euroatlantike.

Osmani këtë deklaratë e ka bërë në kuadër të punimeve të Forumit Diplomatik të Antalisë, në të cilin u diskutua për temën “Rrugët rajonale dhe globale drejt paqes dhe prosperitetit”.

“Një mjedis paqësor dhe i begatë është çelës për çdo shoqëri, sepse  ndikon në të gjitha aspektet e zhvillimit shoqëror të një vendi”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas saj, qëllimet e tilla asnjë vend nuk mund t`i arrijë i vetëm.

Sipas Presidentes Osmani, paqja dhe prosperiteti janë të lidhura ngushtë dhe parakushte për një shoqëri progresive e të zhvilluar.

“Vendosja e bashkëpunimit rajonal dhe global do ta mundësojë paqen dhe stabilitetin, i cili favorizon zhvillimin ekonomik, prosperitetin dhe përparimin”, është shprehur Presidentja Osmani.

“Përkundër përparimit të jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova si shtet, por edhe kontinenti ynë, sot të gjithë i shohim qartë kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë, të cilat janë të vazhdueshme dhe aktive”, është shprehur Osmani.

Diskutimin e saj, Presidentja Osmani e përmbylli me një mesazh shprese për bashkëpunimin e botës demokratike për ruajtjen e paqes.

“Ashtu siç u mblodh bota demokratike për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe gjenocidit në Kosovë në 1999, jam e sigurt që këtë do ta shohim edhe në rastin e Ukrainës dhe kudo tjetër në botë ku ka luftë dhe vuajtje”.

E përveç, Presidente, Vjosa Osmani, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Rusia nuk dëshiron të kthehet në paqe, por tani është duke kërkuar konflikte të reja në Ballkan nëpërmjet Serbisë. 

Kurti në një intervistë për medium britanik “Guardian” se konflikti në Ballkan i konvenon Rusisë e cila dëshiron që të shtojë presionin ndaj shteteve perëndimore.

“Kam frikë se sa më gjatë të zgjasë lufta në Ukrainë, aq më të mëdha janë shanset e përhapjes në Ballkanin Perëndimor. Sepse është në interesin e Federatës Ruse që të ketë terrene të reja beteje”, ka thënë Kurti./Shqip.com

Lexo edhe:
Kurti për Guardian: Rusia po kërkon konflikte të reja në Ballkan