OSHP-ja “detyron” deputetët të votojnë me dorë

Sistemi elektronik në Kuvendin e Kosovës është jashtë funksionit tashmë e dy vite.
Si pasojë e kësaj deputetet detyrohen të votojnë në kuti votimi apo me ngritje dore.
Nga Kuvendi i Kosovës në një përgjigje për SHQIP.com kanë thënë se numri i pajisjeve kanë rënë në 120, prandaj është pamundësuar votimi.
“Sistemi konferencier në sallën plenare është në përdorim të pandërprerë nga viti 2004. Me kalimin e kohës sistemi është tejamortizuar dhe nuk ka mundësi të freskohet me njësi rezervë/shtesë nga prodhuesi. Para afër dy vitesh numri i pajisjeve aktive ka rënë nën 120, prandaj si rrjedhojë ka pamundësuar përdorimin e votimit elektronik në sallën plenare”.
Tutje nga Kuvendi thonë se janë në proces të blerjeve të pajisjeve dhe lënda është në Organ Shqyrtues të Prokurimit që nga muaji gushti i vitit 2021.
“Kuvendi është në procedurë të blerjes së sistemit, por lënda është në OSHP nga gushti 2021”.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 69 vota për të mërkurën kanë formuar Organin Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Kjo pasi që me 31 mars 2021 bordit të këtij organi i ka skaduar mandati dhe si pasoje e kësaj ka ndikuar edhe në bllokim e tenderëve.
Tentativat për ta funksionalizuar Bordin e OSHP-së ishin bërë me hapjen e konkursit më 26 maj, por në Kuvend më 6 dhjetor 2021 përfundimisht dështoi procesi i emërimit të kryetarit dhe anëtarëve.
Votimi dështoi për dy herë radhazi. Herën e parë dështoi më 23 nëntor për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa më 6 dhjetor 2021 dështoi emërimi i tyre pasi ishin vetëm dy vota për dhe 64 kundër dhe një abstenim.
Ndryshe, bordi i OSHP-së sipas Ligjit për Prokurimin Publik ka një mandat pesë vjeçar pa pasur mundësi për rizgjedhje./SHQIP.com