Opozita nis kaosin në Kuvend, zhurmë dhe bilbila
Ka nisur seanca e sotme plenare. Deputetët e opozitës janë në këmbë duke vijuar skenat kaotike.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka lexuar rendin e ditës, ndërsa disa herë me radhë ka ftuar deputetët e Rithemelimit të zënë vendet e tyre për të vijuar seancën normalisht.
Deputetët e opozitës kanë përdorur bilbila dhe zhurmues ndërkohë që mbajnë në duar pankarta ku lexohet “Vrasësi demokracisë” “Vrasës i pluralizmit”.
Pavarësisht nga protesta e opozitës, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla vijoi punimet e seancës me votimin e projektligjeve.
Mes ligjeve që u kalua nga mazhoranca ishte edhe ai për bastet sportive që i hap rrugë rikthimit të tyre online.
Partia Demokratike pati kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për akuzat e Arben Ahmetajt, por kreu i qeverisë e kishte deleguar atë te ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali. Deputeti i PD, Arbi Agalliu nuk e pranoi interpelancën me Spiropalin, duke insistuar se llogaridhënia i takon kryeministrit Rama.
Vlen të theksohet se deputeti Agalliu u ndërpre në fjalën e tij nga deputetët e tjerë të opozitës. Elda Hoti, deputete e PD i fiku mikrofonin Agalliut. Ai nuk u la nga kolegët e tij të opozitës që të përfundonte fjalën në foltoren e Kuvendit.
Pas refuzimit të interpelancës me Spiropalin, Lulzim Basha dhe deputetët e tjerë të PD u larguan nga salla e seancave plenare.
/Shqip.com