Lajme Ballkan

Opozita maqedonase pengon debatin në Kuvend për propozimin francez

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të premten ka vazhduar debati për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

Për shkak të numrit të madh të deputetëve të paraqitur për fjalim, shërbimet e Kuvendit paralajmërojnë se seanca mund të mos përfundojë as ditën e premte.

Deputetët e VMRO DPMNE-së përmes fishkëllimeve me bori i kanë penguar deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.

Ata u akuzuan nga deputetët e LSDM-së, se përveç kaosit, nuk ofrojnë asgjë tjetër për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, raporton Radio Evropa e Lirë.

Po ashtu, një situatë e pazakontë ka ndodhur sot gjatë ditës në Parlamentin e Maqedonisë.

Në mes të dy deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ka pasur përplasje fizike. Mirëpo me ndërhyrjen e deputetëve të tjerë situata është qetësuar.

Disa ditë më parë, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Maqedonisë së Veriut të dielën, presidenti Stevo Pendarovski e cilësoi si të pranueshëm propozimin francez për heqjen e vetos bullgare, por gjithashtu nënvlerësoi pritjet se ai do të përshpejtonte ndjeshëm procesin e negociatave të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se konsultimet për propozimin vazhdojnë.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Marie Byrnes, përmes një letre të hapur drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut që të pranojë propozimin e Francës për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë./Shqip.com