Lajme

Opozita: Jemi në krizë ekonomike, Qeveria nuk po vepron

Ilustrim

Krahas krizës ekonomike në Kosovë, krerët e institucioneve kanë paralajmëruar një dimër të vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Por, deputetët e opozitës kanë thënë se nuk po veprohet sa i përket të kësaj gjendje me ekonominë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Në një intervistë për EO, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa ka thënë se për shkak të mungesës se energjisë do kemi një dimër të vështirë ndërsa, institucionet ende nuk kanë arritur të kenë një kontratë për të siguruar çmim më të lirë të energjisë elektrike.

“Kemi informata që përveçse ballafaqohemi çdo ditë si qytetarë të këtij vendi me çmime të larta, me inflacion me mungesë të energjisë dhe pretendimet që do ta kemi një dimër të vështirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike e kemi parë që disa herë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ende nuk kanë arritur ta kenë një kontratë për të siguruar me një çmim të lirë siç e kanë siguruar shtet tjera furnizimin me energji për qytetarë”, tha Beqa.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se Qeveria aktuale është duke folur për një Kosovë të shkatërruar që 20 vjet a në të vertetë ata e kanë marrë Kosovën të gatshme.

“Çmimet janë alarmante. Edhe çmimi i bukës ka filluar të rritet dhe nuk ka të bëjë me menaxhim sepse Kosova është duke funksionuar e vetmuar. Këta po thirren që qe 20 vjet është shkatërruar Kosova. Kosovën e kanë marrë të gatshme dhe nuk po dinë ta udhëheqin”, tha Bunjaku-Rexhepi.

Tutje, Bunjaku-Rexhepi tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dalur kundër qytetarëve i cili nuk dëshiron as të bashkëpunojë me opozitën për të dal nga kriza.

“Zotëri Kurti është paranoik dhe e ka njëfarë uni të tepruar. Një kryeministri i kërkohet punë angazhim e korrektësi dhe bashkëpunim me opozitën e qytetarët dhe tani është në të kundërtën e qytetarëve. Ne e kemi të pamundur në numra që të bëjmë rrëzimin e kësaj qeverie përkundër asaj ne nuk jemi për ta rrëzuar qeverinë por të bashkëpunojë me opozitën. Ne kemi dhënë propozime sikurse për krizë ekonomike, energjetike e arsim. Mirëpo asnjë propozim i LDK nuk është marrë parasysh”.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj  potencoi se Kosova është në një krizë ekonomike të thellë ku nuk ka as investime.

“Sa i përket krizës ekonomike dihet që jemi në një krizë të thellë ekonomike kur nuk ka ndonjë zhvillim nuk ka investime qoftë të faktorit të jashtëm, qoftë të brendshëm dhe gjendja është alarmante”.

Sipas Lekajt, Qeveria duhet të veprojë para se të vihet në një bllokadë ekonomike.

“Nëse i shohim hapat që i ka ndërmarrë për pako sociale ajo është vetëm për të blerë kohë, por jo për të bërë zhvillim ekonomik. Prandaj Qeveria duhet të veprojë dhe të mos vijmë deri te një bllokadë ekonomike. Dhe kur e shohim ngritjen enorme të çmimeve mendoj që na pret një dimër të vështirë”.

Albin Kurti prezanton progresin ekonomik, thotë se është rezultat i qeverisjes së mirë – SHQIP.com

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në faqen e tij në Facebook ka shkruar se rritja ekonomike është vizion i Qeverisë dhe se kjo do të bëhet përmes përkrahjes së bizneseve vendore.

Ai ka thënë se përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, u subvencionuan 20% e kredive për bizneset prodhuese dhe përpunuese dhe se vlera e përkrahjes kap shifrën e 15 milionë eurove që ishin mbështetje direkte për 207 biznese.

Sipas Kurtit Kosova ka shënuar rritje në vlerat e eksportit dhe se prodhimet tona që shkojnë jashtë vendit janë trefishuar më shpejtë në krahasim me vitet kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara.

Kryeministri Kurti ka njoftuar se këtë javë do të filloj edhe zhdoganimi i mallrave në Portin e Durrësit, e që do të ulë kostot për bizneset edhe konsumatorët për rreth 2 milionë euro.

Ndërsa sa i përket investimeve të huaja direkte, Kosova vazhdon të rritet me 47% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

I pari i ekzekutivit tha gjithashtu se progresi ekonomik nuk është rastësi e hamendësim sepse është rezultat i politikave të duhura dhe qeverisjes së mirë.

/Shqip.com