Lajme

Albin Kurti prezanton progresin ekonomik, thotë se është rezultat i qeverisjes së mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në faqen e tij në Facebook ka shkruar se rritja ekonomike është vizion i Qeverisë dhe se kjo do të bëhet përmes përkrahjes së bizneseve vendore.

Ai ka thënë se përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, u subvencionuan 20% e kredive për bizneset prodhuese dhe përpunuese dhe se vlera e përkrahjes kap shifrën e 15 milionë eurove që ishin mbështetje direkte për 207 biznese.

Sipas Kurtit Kosova ka shënuar rritje në vlerat e eksportit dhe se prodhimet tona që shkojnë jashtë vendit janë trefishuar më shpejtë në krahasim me vitet kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara.

“Eksportin përgjatë periudhës janar-shtator 2022 e kemi për 25.6% më të lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja mesatare vjetore e eksportit gjatë periudhës janar-shtator të viteve 2008-2020 është 15.7%, ndërsa rritja mesatare e eksportit në periudhën e njëjtë të dy viteve të fundit e gjatë qeverisjes sonë është 47.3%. Pra, me Qeverinë tonë eksportet në këtë periudhë janë rritur trefish më shpejtë sesa në krahasim me vitet kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara”, tha Kurti.


Kryeministri Kurti ka njoftuar se këtë javë do të filloj edhe zhdoganimi i mallrave në Portin e Durrësit, e që do të ulë kostot për bizneset edhe konsumatorët për rreth 2 milionë euro.

Ndërsa sa i përket investimeve të huaja direkte, Kosova vazhdon të rritet me 47% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

“Investimet e huaja direkte në Kosovë vazhdojnë të rriten gjatë qeverisjes sonë. Në periudhën janar-korrik të këtij viti vlera e investimeve të huaja direkte ka tejkaluar vlerën prej 400 milionë euro. Pra, 47% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 99% me shumë sesa në vitin 2020”, ka shkruar Kurti.

I pari i ekzekutivit shkruan gjithashtu se progresi ekonomik nuk është rastësi e hamendësim sepse është rezultat i politikave të duhura dhe qeverisjes së mirë.

Kurti dhe qeveria e tij, javët e fundit kanë qenë në një presion publik për shkak të përplasjeve rreth grevave të mësimdhënësve, të cilat përfunduan javën e shkuar dhe ekzekutimi i pagave u bë gjatë ditës së djeshme./SHQIP.COM

/Shqip.com