Kulturë

“Operacione sekrete-Shqipëria në luftën e Ftohtë”, libri më i ri Koçollarit

Historiani Irakli Koçollari ka botuar dhe promovuar librin “Operacione sekrete-Shqipëria në luftën e Ftohtë”. Botimi ka në qendër vitet 1948-1954, ndërsa autori që në nisje të prezantimit, siguron që ka tejkaluar ideologjinë.

“Jam përpjekur të shmang të gjitha ndikimet e anësitë e mundshme ideologjike, emocionet që shkaktohen nga ngjarjet e dhimbshme që gjenden në faqet e librit dhe të arkivave jam përpjekur tu rri larg, nostalgjive apo urrejtjes që kanë sjellë shpesh troshitjet politike të kohës”, tha autori.

Libri i mbështetur në dokumente të CIA-s, shërbimit inteligjent britanik dhe Sigurimit të shtetit shqiptar, sipas autorit sjell të dhëna kompremetuese për perëndimin.

“Ato dokumente ishin tepër komprometuese, për vendet që i organizuan dhe i ndërmorën ato operacione klandestine ndaj Shqipërisë, dhe binin shpesh ndaj normave të së drejtës ndërkombëtare. Operacionet ndaj Shqipërisë janë të parat operacione klandestinë në tërë historinë e luftës së ftohtë”, u shpreh Koçollari.

Personazhi i agjentit të dyfishtë Kim Filbit, vjen në dukje i çmitizuar, pasi Koçollari i referohet një dokumenti të vetëm me informacione prej tij në KGB.

“Libri rrezon pretendimet e pabaza të rolit inekzistent të Kim Filbit në këto operacione. Në libër gjendet fotokopja e të vetmit informacion që Kim Filbi i ka dhënë KGB-së”, tha Koçollari.

I njohur tashmë si historian e studiues, Irakli Koçollari ka qenë për Shef i Shërbimit Informativ Kombëtar në fillim të viteve 1990.

/Shqip.com