Lajme

OKB: Pothuajse 8 milionë persona janë larguar nga Ukraina

Organizata e Kombeve të Bashkuara

Koordinatori për Ndihmë Emergjente i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, tha se pothuajse 8 milionë persona janë larguar nga Ukraina, që kur nisi konflikti gati një vit më parë.

Pothuajse 8 milionë persona janë larguar nga Ukraina për në shtetet fqinje, ndërkaq 5.3 milionë persona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, tha Griffiths në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Griffiths tha se më vonë gjatë këtij muaji, në Gjenevë do të prezantojë Planin për Përgjigje Humanitare për Ukrainën.

Ai tha se ky plan kërkon një shumë prej 3.9 miliardë dollarësh.

Mbi 7.000 civilë janë vrarë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, thuhet në shifrat e prezantuara nga OKB-ja, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Kreu i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka paralajmëruar se përshkallëzimi i mëtejshëm në konfliktin Rusi- Ukrainë mund të nënkuptojë se bota po shkon drejt një “lufte më të gjerë”.

Duke theksuar nevojën për të vepruar duke pasur parasysh gjeneratat e ardhshme, sekretari i përgjithshëm përsëriti thirrjen e tij për një “transformim rrënjësor” të financave globale.

/Shqip.com