Lajme Ballkan

Bashkohen OJQ-të, me nënshkrime kërkojnë nga BE heqjen e vizave

Bashkimi Evropian

64 anëtarë dhe drejtorë të organizatave joqeveritare të ndryshme në Kosovë dhe rajon kanë mbledhur nënshkrime si kërkesë për Bashkimin Evropian që t’i liberalizojë vizat në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan SHQIP.

Në një njoftim për media thuhet së kërkesa u është bërë BE-së që të veprojë sa ma shpejtë.

“Ne, organizatat dhe individët e nënshkruar nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian (BE) u kërkojmë qeverive të gjashtë vendeve të Ballkani Perëndimor dhe udhëheqësve të Shteteve Anëtare të BE të veprojnë me shpejtësi në heqjen e regjimeve të vizave dhe krijimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë brenda rajonit dhe në të gjithë zonën Shengen”, thuhet në njoftim.

Më tej është shkruar së pengesat ekzistuese për lirinë e lëvizjes brenda rajonit po i pamundësojnë lidhjet familjare e po i dëmtojnë bizneset,

“Pengesat ekzistuese për lirinë e lëvizjes brenda rajonit dhe në të gjithë zonën Shengen po i pamundësojnë lidhjet familjare, dëmtojnë bizneset, frenojnë shkëmbimet studentore dhe akademike, dhe po e pamundësojnë bashkëpunimin dhe zhvillimin rajonal”.

Sipas tyre, mundësitë për qytetarët e vendeve të Ballkani Perëndimor janë shumë më të kufizuara kur bëhet fjalë për të kontribuar dhe përfituar nga projekte rajonale, por edhe nga programe më të mëdha të BE-së — të tillë si Programi Erasmus+.

“Kur mundësi të tilla ekzistojnë, ato priren të jenë të mundshme vetëm për njerëzit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasaporta e të cilëve u lejon atyre të udhëtojnë më lehtë, pa kaluar procedura të gjata dhe të kushtueshme për të marrë një vizë Shengen”, është deklaruar më tej.

Këto OJQ e shohin Samitin e Berlinit si mundësi të mirë për heqjen e regjimit të vizave.


“Takimi i ardhshëm i Ballkanit Perëndimor në Berlin është një mundësi e jashtëzakonshme për heqjen e regjimit të vizave dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes në rajon. Eksplorimi i potencialit të kapitalit njerëzor brenda Procesit të Berlinit ka qenë jetik, i cili mundësoi përfshirjen e të rinjve dhe shoqërisë civile si nxitës të ndryshimeve shoqërore dhe që shihet si një investim në lëvizjen e njerëzve. Mbështetjes nga BE për vendet e Ballkani Perëndimor shpesh i ka munguar ky aspekt shoqëror, i cili mund të ketë një ndikim kuptimplotë dhe të qëndrueshëm mbi qytetarët dhe shoqëritë”, thuhet në njoftim.

Qytetarët e Kosovës mbeten të vetmit në rajon të cilëve u duhet vizë për të udhëtuar në zonën Shengen. Përkundër faktit se në vitin 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova kishte përmbushur të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe votimit nga Parlamenti./SHQIP.com