Lajme Kosova ka rreth 30 inspektorë të punës për mbikëqyrjen e rreth 80 mijë biznese

Numri i inspektorëve ka rënë për 50 për qind, Azemi: Qeveritë qëllimisht nuk po shtojnë inspektorët e punës

Numri i inspektorëve të punës brenda tetë vjetëve të fundit ka rënë nga 60 në rreth 30 inspektorë.

Në anën tjetër, numri i bizneseve është rritur në vazhdimësi, duke pamundësuar kështu kontrollimin e tyre për plotësim të kushteve të punës.

Për këtë, kryetari i Sindikatës së punëtorëve për sektorin privat, Jusuf Azemi, thotë se qeveritë qëllimisht nuk kanë ndërmarrë veprime.

“Kemi një bashkëpunim me kryeinspektorin jashtëzakonisht të mirë por po flas me përgjegjësinë më të madhe nuk mund të flas për inspektoratin në tërësi. 60 inspektorë ishin në 2014 dhe sot kemi mbet me rreth 30 inspektorë. Qeveritë tona me vetëdije i bëjnë këto gjëra”, ka thënë Azemi.

Në Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, Azemi tha rritja e numrit të rasteve të vdekjeve dhe aksidenteve në vend të punës është alarm për institucionet.

Në vitin 2019 me fatalitet kanë përfunduar 17 raste të aksidenteve në vend të punës, numri i tyre është ulur në 15 një vit pas, dhe në 14 raste në vitin 2021.

Por, vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, 9 persona kanë vdekur në vend të punës.

“Sot po bisedojmë për pasojat dhe asnjëri nga ne nuk po mund të flasim për rezultatet. Sipas matjeve që janë bërë, Kosova ka dalë të jetë vendi i fundit për nga siguria në punë dhe në veçanti në sektorin privat. Nuk kemi një rrugë sesi të vijmë deri tek zvogëlimi i rasteve të aksidenteve dhe vdekjekeve në vend të punës, nuk po japim ide”, ka thënë Azemi.

Në Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, është organizuar tryezë me temë “Dinjitet në punësim, mbrojtje në punë”.

Në këtë tryezë, Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Agim Millaku, ka treguar se vetëm gjatë 10 ditëve të fundit, katër persona kanë humbur jetën në vend të punës.