Lajme Inspektorati i Punës ka në dispozicion rreth 30 inspektorë. Si rezultat, rreth 90 për qind e subjekteve private dhe publike nuk inspektohen brenda vitit.

Vetëm në 10 ditët e fundit, 4 persona kanë humbur jetën në vend të punës

Ilustrim

Vetëm gjatë 10 ditëve të fundit, katër persona kanë humbur jetën në vend të punës.

Kështu ka njoftuar Ushtruesi i Detyrës i Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Agim Millaku, në Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Përveç rritjes së rasteve që kanë përfunduar me fatalitet, rezulton se edhe numri i aksidenteve më lëndime të jetë në rritje.

Gjatë vitit 2020 ishin shënuar 176 aksidente në vend të punës, ndërsa në 2021 numri i tyre është rritur në 188 aksidente.

Derisa, brenda tre muajve të parë të këtij viti, janë shënuar 68 aksidente.

“Është një tregues tjetër jo pse punëdhënësit, sindikalistet dhe Inspektorati i Punës kanë vepruar, por fati po i mban në vend të punës pa u lënduar. Nuk dëshirojmë asnjëherë që situata të jetë kjo, duhet të jemi në krye të detyrës ta sjellim situatën që ky numër i aksidenteve të zvogëlohet maksimalisht”, ka thënë Millaku.

Por, mbikëqyrja e të gjitha bizneseve po del të jetë e pamundur si pasojë e numrit të ulët të inspektorëve.

Inspektorati i Punës ka në dispozicion rreth 30 inspektorë.

“Si inspektorat kemi vlerësuar që numri i inspektorëve të punës duhet të rritet karshi numrit të madh të bizneseve dhe volumit të punës. E kemi kompleksitetin e ushtrimit të mbikëqyrës së tyre. Ky kompeksitet ndikon edhe në rritjen e numri të punëtorëve. Përveç, kësaj jemi në rrugë të një riorganizimi, që inspektorati i punës të kthehet në rrugën e drejtë”, ka thënë Millaku.

Si rezultat, rreth 90 për qind e subjekteve private dhe publike nuk inspektohen brenda vitit.

Për këtë, kryeministri Albin Kurti, pati premtuar rritjen e numrit të inspektorëve të punës, me qëllim të rritjes së kontrollit për zbatimin e Ligjit të Punës.

Megjithatë, deri tani numri i tyre nuk është rritur./Shqip.com