Lajme

Nuk u mbijetoi plagëve, vdes ish-kryetari i Velipojës

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në qytetin e Shkodrës në afërsi të Kishës Ortodokse

Ish-kryetari i Komunës së Velipojës dhe njëherësh ish-deputeti, Pashko Ujka, ka vdekur mbrëmjen e 29 nëntorit, pasi u qëllua me armë zjarri afër banesës së tij në Shkodër.

Pas plagëve të marra, ai është dërguar në Spitalin e Shkodrës, ku dhe ka ndërruar jetë.

Ish-deputeti është qëlluar me armë rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto” në rrethana ende të paqarta.

Në momentin e ngjarjes, ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, e cila në polici ka deklaruar se nuk ka dëgjuar të shtëna.

Ish-deputeti i Shkodrës, Pashko Ujka

Hetuesit dyshojnë se 64-vjeçari është qëlluar me shurdhues dhe atentati mund të jetë i lidhur me detyrën e kreut të Komunës së Velipojës dhe më specifikisht me pronat.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.

Ujka ka mbajtur detyrën e kryetarit të Komunës Velipojë në mandatin 2011-2015, si përfaqësues i zgjedhur me logon e Partisë Socialiste.

Gjatë legjislaturës 2005-2009, ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë./SHQIP.com